Nafta shtrenjtohet në bursa, por çmimet e derivateve në Kosovë më të ulëtat në rajon
Ndërsa në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës është rritur lehtë, në Kosovë derivatet po shiten me të njëjtat çmime, duke mbetur ndër më të ulëtat në rajon.
Aktualisht, çmimi i dizelit në Kosovë varion nga 1.15 deri në 1.25 euro për litër, ndërsa benzina shitet nga 1.16 deri në 1.26 euro për litër. Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ndryshimet e lehta në bursat ndërkombëtare nuk kanë ndikuar në tregun vendas.
“Në BERZ ka pasur një rritje të lehtë, por për momentin nuk ka arsye për ndryshim të çmimeve me pakicë. Situata mund të ndryshojë nëse OPEC merr vendime të reja për kufizim të prodhimit,” tha Berjani.
Kosova me çmimet më të ulëta në rajon
Krahasuar me vendet fqinje, diferenca në çmimet e derivateve mbetet e theksuar. Në Shqipëri, dizeli shitet me 1.77 euro për litër dhe benzina me 1.80 euro, ndërsa në Serbi përkatësisht me 1.62 dhe 1.60 euro. Berjani thekson se konsumatorët kosovarë aktualisht po furnizohen me çmimet më të favorshme në rajon.
Luhatjet ndërkombëtare dhe faktorët globalë
Nafta Brent po tregtohet rreth 85 dollarë për fuçi, ndërsa WTI rreth 82 dollarë, me rritje të lehtë për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe reduktimeve të përkohshme të prodhimit nga OPEC+. Megjithatë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se furnizimi global është më i lartë se kërkesa, gjë që kufizon mundësinë e rritjeve të mëdha të çmimeve.
Kërkesa për naftë po ngadalësohet gjithashtu në ekonomitë kryesore, si Kina dhe vendet e Bashkimit Europian, për shkak të rënies së ritmit të rritjes ekonomike.